Drag

Informata dhe Aktivitete

Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës zhvillon takim me Komunën e Vushtrrisë për avancimin e standardeve në ndërtim

Në kuadër të vazhdimit të takimeve me Kryetarët e Komunave dhe forcimit të bashkëpunimit institucional, Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), z. Arsim Rapuca, i shoqëruar nga anëtarët e Bordit Drejtues, z. Sami Kolgeci dhe z. Afrim Demiri, zhvilloi një takim pune në Komunën e Vushtrrisë me Kryetarin e Komunës, z. Ferit Idrizi, i cili ishte i shoqëruar nga Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, z. Drilon Jusufi.

Gjatë takimit, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, bazuar në përvojën e tij të gjatë profesionale në fushën e profesioneve të rregulluara, theksoi rëndësinë e funksionalizimit të këtyre profesioneve në përputhje me praktikat evropiane. Ai rikujtoi se koncepti i profesioneve të rregulluara ka qenë pjesë e iniciativave rajonale në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rritjen e standardeve profesionale dhe harmonizimin me tregun evropian.

Në këtë kontekst, ai theksoi se mungesa e një ode funksionale të inxhinierëve dhe arkitektëve në të kaluarën ka ndikuar negativisht në zhvillimin dhe rregullimin e profesionit. Ai shprehu kënaqësinë që më në fund është themeluar Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës dhe ofroi mbështetje të plotë për zbatimin e ligjit, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për rritjen e cilësisë dhe sigurisë në sektorin e ndërtimit .

Gjatë takimit u trajtuan çështje me rëndësi strategjike që ndërlidhen drejtpërdrejt me zbatimin e legjislacionit në fuqi, ngritjen e standardeve profesionale dhe garantimin e sigurisë publike në fushën e ndërtimit.

Zbatimi i detyrueshëm i licencave

U theksua se sistemi i licencimit i vendosur nga Oda e Inxhinierëve, në përputhje me Ligjin në fuqi, është mekanizmi kryesor për garantimin e cilësisë dhe përgjegjësisë profesionale në sektorin e ndërtimit. U kërkua që të gjitha aktivitetet ndërtimore – përfshirë projektimin, mbikëqyrjen dhe realizimin – të kryhen ekskluzivisht nga profesionistë të licencuar nga OIRK, në përputhje me profilin dhe kompetencat përkatëse.

U nënvizua se mosrespektimi i këtij parimi cenon drejtpërdrejt sigurinë publike dhe krijon hapësirë për realizim të projekteve pa përgjegjësi të qartë profesionale.

Procedurat për pranimin e projekteve

U diskutua rëndësia e vendosjes së një kontrolli të qartë dhe të detyrueshëm në fazën e pranimit të dokumentacionit për leje ndërtimore. U rekomandua që institucionet komunale të aplikojnë verifikim sistematik të licencave dhe nënshkrimeve profesionale në projektet e dorëzuara.

U theksua se pranimi i projekteve të hartuara nga persona të pa licencuar ose jashtë fushës së kompetencës profesionale rrezikon drejtpërdrejt cilësinë dhe sigurinë e ndërtimit që nga faza fillestare.

Mbikëqyrja dhe kontrolli në terren

U theksua nevoja për fuqizimin e mekanizmave të kontrollit në terren, duke përfshirë rolin e inspektoratit ndërtimor në verifikimin e përputhshmërisë së punimeve me dokumentacionin teknik dhe ligjor.

U nënvizua se çdo projekt duhet të ketë të angazhuar profesionistë të licencuar për udhëheqjen e punishtes dhe mbikëqyrjen profesionale, si dhe dokumentacion të plotë teknik të nënshkruar nga persona përgjegjës.

Prokurimi publik dhe roli i inxhinierëve

U diskutua rëndësia që proceset e prokurimit publik të reflektojnë kërkesat reale profesionale të projekteve dhe të sigurojnë angazhimin e stafit të licencuar nga OIRK.

U theksua nevoja për eliminimin e praktikave diskriminuese dhe krijimin e një sistemi të drejtë, transparent dhe të bazuar në cilësi, duke garantuar realizimin e projekteve publike me standarde të larta.

Roli i gjeodezisë në procesin ndërtimor

U potencua se shërbimet gjeodezike janë thelbësore për saktësinë dhe sigurinë e çdo projekti ndërtimor dhe duhet të realizohen nga profesionistë të licencuar nga Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës për fushën e ndërtimit.

U theksua se licenca profesionale e lëshuar nga OIRK për gjeodetët në fushën e ndërtimit përbën bazën ligjore dhe profesionale për ushtrimin e këtyre shërbimeve në procesin ndërtimor dhe si e tillë është e domosdoshme për të gjitha aktivitetet që lidhen me projektimin dhe realizimin e objekteve dhe infrastrukturës.

Në këtë drejtim, u nënvizua se gjeodetët e licencuar nga OIRK duhet të jenë të përfshirë në të gjitha fazat e procesit ndërtimor, duke përfshirë incizimin fillestar, piketimin dhe përcjelljen e punimeve gjatë ndërtimit të objekteve dhe infrastrukturës rrugore, hidroteknike dhe projekteve të tjera në fushën e ndërtimit.

Gjeoteknika dhe elaboratet gjeomekanike

U theksua se analizat gjeoteknike dhe elaboratet gjeomekanike janë ndër elementet më kritike për sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjate të objekteve ndërtimore, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e fondimit dhe në stabilitetin e strukturave si dhe stabilitetit të gropave ndërtimore.

U kërkua që këto studime të realizohen nga profesionistë të licencuar nga OIRK, përkatësisht nga ekipe multidisiplinare që përfshijnë gjeologë dhe inxhinierë të gjeoteknikës dhe ndërtimtarisë, të cilët mbajnë përgjegjësi të plotë profesionale për përmbajtjen dhe saktësinë e tyre.

U nënvizua se trajtimi i elaboratëve si formalitet administrativ është i papranueshëm, ndërsa analizat reale në terren dhe interpretimi profesional janë vendimtare për garantimin e sigurisë afatgjate të objekteve.

Ndarja e roleve profesionale

U diskutua rëndësia e ndarjes së qartë të roleve në procesin ndërtimor, ku projektimi, mbikëqyrja dhe realizimi duhet të kryhen nga subjekte të ndryshme.

Kjo ndarje siguron kontroll të pavarur, eliminon konfliktin e interesit dhe rrit cilësinë dhe besueshmërinë e projekteve.

Planifikimi buxhetor dhe çmimoret profesionale

U diskutua rëndësia e planifikimit real buxhetor në projektet publike dhe nevoja për përdorimin e çmimoreve profesionale si bazë për përcaktimin e kostove reale.

Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e shfrytëzimit të Rezolutës së Odës së Inxhinierëve për çmime referente, e cila përfshin si tarifat minimale për shërbimet inxhinierike dhe arkitektonike, ashtu edhe çmimoren referente mesatare në fushën e ndërtimit.

U nënvizua se shfrytëzimi i këtyre çmimeve referente paraqet një bazë të rëndësishme për planifikim të drejtë dhe real buxhetor, duke ndihmuar institucionet publike në hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të realizueshme.

Njëkohësisht, kjo qasje kontribuon në shmangien e ofertave joreale, ruajtjen e standardeve profesionale dhe sigurimin e realizimit të projekteve cilësore dhe afatgjata.

Informim mbi rolin e Odës së Inxhinierëve

Përfaqësuesit e Komunës së Vushtrrisë u informuan mbi funksionimin e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përfshirë sistemin e licencimit, standardet profesionale, procedurat disiplinore dhe rolin e saj në rregullimin e profesionit.

Përfundim

Në përfundim, Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, dhe stafin e tij për gatishmërinë për bashkëpunim dhe theksoi se do të vazhdojë të jetë partner i përkushtuar për institucionet publike.

OIRK mbetet e angazhuar në mbështetjen e zbatimit të ligjit, ngritjen e standardeve profesionale dhe mbrojtjen e interesit publik në sektorin e ndërtimit.

 

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni