
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe avancimit të standardeve profesionale në sektorin e ndërtimit, Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), z. Arsim Rapuca, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, zhvilloi një takim pune me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe ekipin e tij.
Gjatë takimit u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi strategjike që kanë për qëllim rritjen e cilësisë në projektim dhe ndërtim, forcimin e zbatimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike në të gjitha fazat e procesit ndërtimor.
Zbatimi i detyrueshëm i licencave
U theksua nevoja që Ligji për Odat e Inxhinierëve të zbatohet në mënyrë të plotë, të njëtrajtshme dhe pa përjashtime në të gjitha drejtoritë komunale. U kërkua që çdo aktivitet në sektorin e ndërtimit – projektim, mbikëqyrje dhe realizim – të kryhet vetëm nga inxhinierë të licencuar, në përputhje me kompetencat e përcaktuara ligjore. Në këtë drejtim, u potencua rëndësia e regjistrit publik të inxhinierëve të licencuar të OIRK, i cili mundëson verifikim të menjëhershëm dhe transparent nga institucionet komunale.
Procedurat për pranimin e projekteve
U diskutua nevoja për forcimin e kontrollit që në fazën e pranimit të dokumentacionit për leje ndërtimore. U kërkua që të pranohen vetëm projektet e hartuara dhe të nënshkruara nga profesionistë të licencuar, ndërsa çdo dokumentacion që nuk përmbush këto kërkesa të refuzohet menjëherë. Ky mekanizëm garanton që çdo projekt të ketë përgjegjësi të qartë teknike dhe ligjore që në fillim të procesit.
Mbikëqyrja dhe kontrolli në terren
U theksua rëndësia e fuqizimit të kontrollit në terren nga inspektorati ndërtimor, duke përfshirë verifikimin e dokumentacionit teknik, ditarëve dhe librave ndërtimorë, si dhe nënshkrimeve të inxhinierëve të licencuar. U nënvizua se çdo objekt ndërtimor duhet të ketë të angazhuar udhëheqës të punishtes të licencuar, ndërsa investitorët duhet të sigurojnë mbikëqyrje profesionale të pavarur nga ekipe të licencuara të të gjitha profileve përkatëse.
Prokurimi publik dhe roli i inxhinierëve
U diskutua nevoja që në proceset e prokurimit publik të kërkohet detyrimisht angazhimi i stafit të licencuar nga OIRK, në përputhje me natyrën dhe kompleksitetin e projekteve. Njëkohësisht, u kërkua eliminimi i kritereve të panevojshme dhe praktikave diskriminuese, me qëllim krijimin e një sistemi të bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe cilësi reale.
Roli i gjeodezisë në procesin ndërtimor
U theksua se shërbimet gjeodezike përbëjnë bazën e saktësisë në çdo projekt ndërtimor dhe duhet të realizohen ekskluzivisht nga inxhinierë të licencuar nga OIRK. Këto përfshijnë piketimet në terren, përcjelljen e punimeve gjatë realizimit të objekteve dhe infrastrukturës, si dhe verifikimet e vazhdueshme gjatë zbatimit të projektit. U nënvizua se përcjellja gjeodezike gjatë ndërtimit është element kyç për garantimin e zbatimit korrekt të projektit dhe shmangien e devijimeve që mund të ndikojnë në cilësi, funksionalitet dhe siguri. Gjithashtu, u sqarua se licencat kadastrale vlejnë vetëm për çështje pronësore dhe nuk mund të përdoren për shërbime në sektorin e ndërtimit.
Gjeoteknika dhe elaboratet gjeomekanike
U theksua rëndësia kritike e analizave gjeoteknike dhe elaboratëve gjeomekanike për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate të objekteve. U kërkua që këto elaborate të përgatiten nga ekipe multidisiplinare të përbëra nga profesionistë të licencuar nga OIRK, përkatësisht gjeologë të licencuar dhe inxhinierë të gjeoteknikës / ndërtimtarisë – konstruktiv, të cilët mbajnë përgjegjësi të qartë profesionale për pjesët përkatëse të studimit. U potencua se elaboratet gjeomekanike nuk duhet të trajtohen si formalitet, por si dokumente themelore që bazohen në analiza reale në terren dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e mënyrës së themelimit dhe sigurinë e strukturës.
Ndarja e roleve profesionale
U diskutua nevoja për ndarje të qartë të roleve në procesin ndërtimor, ku projektimi, mbikëqyrja dhe realizimi nuk duhet të kryhen nga i njëjti subjekt. Kjo ndarje garanton kontroll të pavarur, eliminon konfliktin e interesit dhe rrit cilësinë dhe besueshmërinë e projekteve.
Planifikimi buxhetor dhe çmimoret profesionale
U diskutua rëndësia e planifikimit real buxhetor në projektet publike dhe u rekomandua përdorimi i çmimoreve profesionale si bazë për përcaktimin e kostove reale. Kjo ndihmon në shmangien e ofertave joreale dhe promovon realizimin e projekteve cilësore dhe të qëndrueshme.
Informim mbi rolin e Odës së Inxhinierëve
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës u informuan mbi funksionimin e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përfshirë strukturën organizative, kodin etik, procedurat disiplinore dhe sistemin e edukimit të vazhdueshëm profesional.
Përfundim
Në përfundim, Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, për gatishmërinë për bashkëpunim dhe theksoi se do të mbetet një partner i hapur dhe i përkushtuar për institucionet publike.
OIRK mbetet e angazhuar në mbështetjen e zbatimit të ligjit, ngritjen e standardeve profesionale dhe mbrojtjen e interesit publik në sektorin e ndërtimit.
