Pas shumë diskutimeve dhe takimeve, Bordi Drejtues i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), bazuar në Ligjin Nr. 08/L-012 “Për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit”, konkretisht nenin 3, paragrafi 1.8, ka analizuar me kujdes situatën ligjore dhe ka marrë vendim të rëndësishëm. Ky nen përcakton qartë mundësinë e përfshirjes së drejtimeve të tjera inxhinierike që lidhen drejtpërdrejt me fushën e ndërtimit .
Vendimi i Bordit Drejtues
Bordi ka vendosur që, përveç inxhinierëve të ndërtimtarisë, elektroteknikës dhe makinerisë, në Odë të përfshihen dhe të licencohen edhe:
-
Inxhinierët e Gjeoteknikës,
-
Inxhinierët e Gjeologjisë,
-
Inxhinierët e Gjeodezisë,
-
si dhe drejtime të tjera inxhinierike që kontribuojnë në fushën e ndërtimit.
Ky vendim është në pajtim të plotë me Ligjin dhe Statutin e OIRK-së, duke reflektuar kompetencën ligjore të Odës për të përfshirë profile të tjera profesionale në momentin e themelimit dhe transferimit të lëndëve përkatëse në kompetencë të saj.
Afati i zbatimit
Bordi Drejtues ka shqyrtuar gjithashtu edhe çështjen e afatit ligjor nga i cili këto drejtime nuk mund të ushtrojnë më funksionin e tyre në fushën e ndërtimit pa licencë të lëshuar nga OIRK. Ky afat është përcaktuar të jetë 1 janar 2026. Pas kësaj date, ushtrimi i profesionit pa licencë do të konsiderohet në kundërshtim me Ligjin dhe me rregulloret përkatëse të Odës.
Komunikimi me Shoqatën e Gjeodetëve
Kryetari i Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës është njoftuar për këtë vendim, ndërsa në javën në vijim pritet të mbahet një takim më i gjerë me anëtarët e kësaj shoqate. Ky takim do të ketë për qëllim sqarimin në detaje të procesit të anëtarësimit dhe licencimit, duke garantuar që të drejtat ligjore të inxhinierëve të gjeodezisë dhe drejtimeve tjera të përfshira të mos cenohen dhe që procesi të zhvillohet me transparencë e kujdes të shtuar.
Qëndrimi i OIRK-së
OIRK rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbështetur integrimin e të gjitha drejtimeve inxhinierike që kontribuojnë në fushën e ndërtimit, duke siguruar përfaqësim të barabartë dhe mbrojtje të dinjitetit profesional të secilit inxhinier. Ky proces është në interes të komunitetit inxhinierik, sektorit të ndërtimit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.