Sot, në ambientet e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, u mbajt një takim i frytshëm mes dy odave profesionale: Odës së Arkitektëve dhe Odës së Inxhinierëve.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte trajtimi i çështjes së çmimores referuese të ndërtimit dhe shërbimeve profesionale, një dokument me rëndësi të madhe për sektorin e ndërtimit, i cili do të ndihmojë në rregullimin e tregut, transparencën dhe planifikimin e drejtë buxhetor. Modele të ndryshme të çmimoreve nga shtetet e rajonit dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian u prezantuan gjatë takimit, duke shërbyer si pikënisje për procesin që pritet të nisë edhe në Kosovë.
Gjatë diskutimeve, palët ranë dakord mbi disa hapa të qartë:
– Dy kryetarët e odave të realizojnë së shpejti takime me përfaqësues të disa shteteve të rajonit, për të marrë informata të drejtpërdrejta mbi procesin e përpilimit të çmimoreve, përvojat e tyre dhe mënyrën e finalizimit të rregulloreve,
– Dy kryetarët të angazhohen në gjetjen e sponsorizuesve nga institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë për mbështetjen e këtij projekti madhor,
-Të dy bordet drejtuese të përcaktojnë format adekuate e gjithëpërfshirëse të themelimit të grupeve punuese profesionale, të cilat do të merren me hartimin dhe finalizimin e një rregulloreje për çmimoren referuese, ashtu siç aplikohet tashmë në shumë shtete të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, u theksua se kjo çështje duhet të pasqyrohet edhe në Ligjin e ri të Ndërtimit, duke e bërë pjesë të pandashme të kornizës ligjore. Kjo do të mundësojë që tregu i ndërtimit të funksionojë mbi baza më të qëndrueshme, të sigurohet planifikim i drejtë financiar dhe të adresohen në mënyrë institucionale të gjitha aspektet që lidhen me shërbimet inxhinierike dhe arkitektonike.
Ky bashkëpunim i dy odave profesionale është një hap i madh drejt forcimit të standardeve, rritjes së besueshmërisë dhe krijimit të një klime më transparente dhe të drejtë për të gjithë akteret e sektorit të ndërtimit në Kosovë.
Â
     Â
   