Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), si institucion profesional i sapothemeluar dhe përfaqësues i inxhinierëve në fushën e ndërtimit, po përgatitet për mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Odës, e cila do të mbahet në fund të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt.

Kuvendi i Odës përbëhet nga një numër i madh anëtarësh, të cilët përfaqësojnë profile të ndryshme profesionale të inxhinierisë në fushën e ndërtimit nga e gjithë Republika e Kosovës. Për shkak të këtij numri të konsiderueshëm të pjesëmarrësve, organizimi i mbledhjes kërkon kapacitete të shtuara organizative, teknike dhe logjistike, në mënyrë që ky aktivitet të realizohet në kushte dinjitoze, profesionale dhe funksionale.
Si vit i parë i themelimit, OIRK është në fazën e ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe organizative. Përveç mbledhjes së Kuvendit, gjatë këtij viti Oda do të organizojë edhe aktivitete të tjera me rëndësi të veçantë për komunitetin profesional, përfshirë:

shënimin e Ditës së Inxhinierit (4 Mars), dhe

programet e edukimit të vazhdueshëm profesional për inxhinierët e licencuar.
Organizimi i këtyre aktiviteteve, veçanërisht i mbledhjes së Kuvendit me pjesëmarrje të gjerë, kërkon mbështetje të mirëplanifikuar financiare dhe logjistike, me qëllim që ato të realizohen në mënyrë dinjitoze dhe në përputhje me rolin institucional të Odës.

Ftojmë bizneset, kompanitë, prodhuesit vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e ndërtimit, si dhe partnerët e tjerë të interesuar, që të shprehin gatishmërinë për sponzorizim apo forma të ndryshme bashkëpunimi, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbështetjen e aktiviteteve institucionale dhe profesionale të Odës.
Modalitetet e bashkëpunimit dhe mbështetjes do të diskutohen drejtpërdrejt me palët e interesuara, në mënyrë transparente dhe në përputhje me misionin dhe vlerat e OIRK.
Mbështetja e partnerëve ndihmon në:

përmirësimin e kushteve organizative dhe logjistike të ngjarjeve me pjesëmarrje të gjerë,

krijimin e një ambienti profesional dhe funksional për punën e Kuvendit të Odës,

avancimin e edukimit profesional dhe ngritjen e standardeve në fushën e ndërtimit,

forcimin e rolit institucional të OIRK në shërbim të inxhinierëve dhe interesit publik.

Për interesim dhe informata shtesë:
Email: info@oirk.org
Tel: 038 606 602
Së bashku ndërtojmë themele të forta profesionale.