Drag

Informata dhe Aktivitete

NJOFTIM

Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës (OIRK) mbetet e përkushtuar për avancimin e vazhdueshëm profesional të anëtarëve të saj dhe për krijimin e mundësive sa më të gjera për zhvillimin e njohurive, shkathtësive dhe kompetencave profesionale.

Në përputhje me Rregulloren për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional (EVP), OIRK inkurajon pjesëmarrjen e inxhinierëve në aktivitete profesionale cilësore, të organizuara nga universitete, institucione shkencore, organizata profesionale, odat homologe, prodhues, kompani, institucione publike dhe subjekte të tjera relevante, brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Duke pasur parasysh spektrin e gjerë të profileve profesionale të përfaqësuara në OIRK, përfshirë inxhinierinë ndërtimore, elektroteknike, makinerike, gjeoteknike, gjeologjike, gjeodezike, mjedisore, hidroteknike, mbrojtjen nga zjarri dhe fusha të tjera të inxhinierisë në fushën e ndërtimit, Oda mbështet dhe promovon qasjen e hapur ndaj edukimit të vazhdueshëm profesional, avancimit të kompetencave dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

Qëllimi i sistemit të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional nuk është kufizimi i inxhinierëve vetëm në aktivitetet e organizuara nga OIRK, por krijimi i mundësive për zhvillim profesional të vazhdueshëm, sipas nevojave dhe interesave të secilës fushë profesionale. Për këtë arsye, trajnimet, seminaret, punëtoritë, konferencat dhe aktivitetet e tjera profesionale të organizuara nga institucione dhe organizata relevante mund të merren në konsideratë për njohje si EVP, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga aktet e OIRK-së.

Përmes kësaj qasjeje, OIRK synon të nxisë kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës, zhvillimin e vazhdueshëm profesional të inxhinierëve dhe përafrimin e praktikës profesionale me zhvillimet bashkëkohore teknike, shkencore dhe teknologjike.

Për t’u njohur si EVP, aktiviteti duhet të ketë përmbajtje kryesisht teknike dhe profesionale dhe të kontribuojë në avancimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave profesionale të inxhinierëve. Si aktivitete të pranueshme mund të konsiderohen ato që trajtojnë standardet teknike, normat profesionale, projektimin, zbatimin, mirëmbajtjen, sigurinë, teknologjitë bashkëkohore, sistemet inxhinierike, zgjidhjet teknike dhe praktikat profesionale në fushat përkatëse, si dhe konferencat, kongreset, simpoziumet, forumet profesionale dhe aktivitetet e tjera të ngjashme që kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe avancimin e kompetencave të inxhinierëve.

Gjatë vlerësimit të një aktiviteti si EVP, OIRK do të marrë parasysh përmbajtjen profesionale dhe teknike të aktivitetit, relevancën për profesionin e inxhinierit, kohëzgjatjen e aktivitetit, programin e trajtimit, kualifikimet dhe përvojën profesionale të ligjëruesve ose trajnerëve, si dhe dëshmitë e pjesëmarrjes ose të përfundimit të aktivitetit.

Prezantimi i produkteve, materialeve, sistemeve ose teknologjive gjatë aktivitetit nuk përbën pengesë për njohjen e tij si EVP, për aq kohë sa përmbajtja kryesore mbetet edukative, teknike dhe profesionale dhe kontribuon në zhvillimin profesional të inxhinierëve.

Nuk do të konsiderohen si EVP aktivitetet që kanë karakter kryesisht promovues, komercial ose marketingu, të fokusuara kryesisht në prezantimin e produkteve, çmimeve, ofertave tregtare, rrjetit të shitjes apo aktiviteteve të marketingut, pa përmbajtje të mjaftueshme teknike dhe profesionale.

Ky njoftim synon të qartësojë kriteret e përgjithshme për njohjen e aktiviteteve në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional dhe të inkurajojë anëtarët që të investojnë vazhdimisht në zhvillimin dhe avancimin e tyre profesional.

OIRK do të shqyrtojë dhe vlerësojë secilin aktivitet individualisht dhe do të njohë në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional vetëm ato aktivitete që kontribuojnë në ngritjen e njohurive profesionale dhe zhvillimin e kompetencave inxhinierike.

Bordi Drejtues i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës

 

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni