Pas procesit të vlerësimit profesional të të gjitha aplikimeve të pranuara, kandidatura e inxhinierit të licencuar të ndërtimtarisë – drejtimi konstruktiv, Zijadin Guri, u vlerësua me numrin më të lartë të pikëve dhe u shpall fituese e çmimit profesional “Inxhinieri i Vitit 2025”, të ndarë nga Oda e Inxhinierëve e Republikës së Kosovës (OIRK).
Kandidatura fituese u mbështet në projektin strukturor të objektit afaristo-banesor “KULLA PRISHTINA – 3B+S+P+22+Ph”, projekt që u dallua për kompleksitetin e lartë teknik, konfigurimin jo standard të strukturës dhe aplikimin e metodave bashkëkohore të analizës dhe projektimit strukturor.
Në kuadër të projektit janë realizuar analiza sipas fazave reale të ndërtimit (Sequential Construction Analysis) dhe analiza jolineare të strukturës (Nonlinear Staged Construction Analysis), përmes të cilave është simuluar sjellja reale e objektit gjatë ndërtimit kat pas kati.
Përmes këtyre analizave janë trajtuar deformimet afatgjata të betonit (creep and shrinkage), efektet e shkurtimit aksial dhe rishpërndarja reale e forcave në strukturë, duke mundësuar optimizim më të saktë të zgjidhjeve konstruktive sipas standardeve evropiane Eurocode.
Përmes çmimit “Inxhinieri i Vitit”, OIRK promovon profesionalizmin, inovacionin teknik dhe standardet bashkëkohore të inxhinierisë, duke vlerësuar inxhinierët që me punën dhe projektet e tyre kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe infrastrukturës në Republikën e Kosovës.
