Drag

Informata dhe Aktivitete

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Odën e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

 

Shkup, 23 Shtator 2025 – Sot u zhvillua një ngjarje e rëndësishme për komunitetin profesional të inxhinierëve dhe arkitektëve në rajon.
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Oda e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar të Maqedonisë së Veriut (KOAI) nënshkruan Memorandumin e parë zyrtar të bashkëpunimit ndërinstitucional, i cili vendos themelet për partneritet afatgjatë dhe zhvillim të përbashkët profesional.

Në emër të OIRK-së, memorandumin e nënshkroi Ing. Dipl. Arsim Rapuca – Kryetar i OIRK, ndërsa OAAI u përfaqësua nga M-r Kristinka Çulak – Kryetare e Odës. Nënshkrimi u realizua gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të OIRK në Shkup, ku përfaqësuesit e të dyja odave diskutuan për sfidat e përbashkëta të profesionit dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal.

 

Qëllimet dhe Fushat e Bashkëpunimit

Memorandumi synon krijimin e një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi, duke i dhënë përparësi:

  • Shkëmbimit të përvojave profesionale dhe praktikave më të mira mes ekspertëve të dy odave, në procesin e përgatitjes së dokumenteve dhe masave për zhvillimin e veprimtarive të inxhinierëve dhe arkitektëve.
  • Organizimit të projekteve të përbashkëta me karakter aplikativ dhe ndërkombëtar në fushën e inxhinierisë dhe arkitekturës.
  • Harmonizimit të legjislacionit dhe rregulloreve që rregullojnë profesionet e inxhinierëve dhe arkitektëve, me synim njohjen reciproke të licencave profesionale dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të profesionistëve.
  • Bashkëpunimit në konferenca, simpoziume dhe aktivitete shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke promovuar rritjen e kapaciteteve profesionale.
  • Përmirësimit të kornizës ligjore dhe rregullative përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe përvojave nga të dy vendet.
  • Rritjes së ndikimit rajonal dhe evropian të odave profesionale, në përputhje me objektivat e përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian dhe avancimin e standardeve profesionale.

Deklarata nga Udhëheqësit e Odave

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Ing. Dipl. Arsim Rapuca u shpreh:
“Ky memorandum nuk është thjesht një dokument formal – ai është një platformë konkrete bashkëpunimi që do t’u sjellë përfitime të drejtpërdrejta anëtarëve tanë. Odat tona do të punojnë së bashku për të ngritur cilësinë e shërbimeve, për të harmonizuar standardet profesionale dhe për të krijuar mundësi të reja për inxhinierët dhe arkitektët e të dy vendeve.”

Edhe Kryetarja e KOAI, znj. Kristinka Chulak, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke deklaruar:
“Ne besojmë se ky partneritet do të kontribuojë në forcimin e rolit të profesionistëve tanë në zhvillimin urban dhe infrastrukturor, si dhe do të ndihmojë në përgatitjen e përbashkët për sfidat e integrimit evropian.”

 

Rëndësia për Anëtarët dhe Shoqërinë

Ky bashkëpunim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek anëtarët e të dy odave, duke:

  • Hapur mundësi për shkëmbime profesionale dhe trajnime ndërkufitare.
  • Lehtësuar pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe kërkimore.
  • Mundësuar ndikim më të madh në politikat publike që prekin profesionin.
  • Promovuar profesionalizmin, transparencën dhe standardet evropiane në sektorin e ndërtimit.

 

Hapi i Radhës

Palët u dakorduan që në muajt e ardhshëm të krijojnë një plan pune të përbashkët me aktivitete konkrete, përfshirë takime të rregullta, punëtori profesionale dhe inicimin e projekteve të para për zbatimin e marrëveshjes.

 

Përvojë mbi Rregulloret e Çmimeve dhe Shkëmbim Profesional

Qëllimi kryesor i këtij takimi nuk ishte vetëm nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit, por edhe shkëmbimi i përvojave me Odën e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar të Maqedonisë së Veriut (KOAI) lidhur me përpilimin e Rregullores për Çmimoren e Ndërtimeve dhe Çmimoren e Shërbimeve Inxhinierike.

Përfaqësuesit e KOAI prezantuan në mënyrë të detajuar procesin shumëvjeçar të hartimit të këtyre rregulloreve, që tashmë janë pjesë integrale e Ligjit për Ndërtim dhe zbatohen në praktikë në Maqedoninë e Veriut. Ata shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe asistencë, duke ofruar ekspertizën e inxhinierëve dhe arkitektëve që kanë marrë pjesë në hartimin e këtyre dokumenteve.

U theksua se rregullorja maqedonase mund të shërbejë si bazë e fortë për përpilimin e rregullores së OIRK-së, pasi çmimet referente në të dy shtetet janë pothuajse identike, gjë që lehtëson dhe përshpejton procesin e hartimit.

Në fund, Kryetari i OIRK-së, Ing. Dipl. Arsim Rapuca, shprehu mirënjohje dhe falënderime për Odën e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar të Maqedonisë së Veriut për mikpritjen e ngrohtë, gatishmërinë për mbështetje në shumë procese dhe për drekën e shtruar në nder të delegacionit të OIRK-së.

   

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni