
Prishtinë, 18 shtator 2025 – Sot u nënshkrua një Memorandum i rëndësishëm Bashkëpunimi ndërmjet Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), i cili synon të forcojë rolin e inxhinierëve të licencuar në procedurat e prokurimit publik dhe të sigurojë respektimin e plotë të dispozitave ligjore që lidhen me pjesëmarrjen e tyre në sektorin e ndërtimit.
Memorandumi u nënshkrua nga z. Arsim Rapuca, Kryetar i OIRK-së, dhe z. Osman Vishaj, Kryetar i KRPP-së. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe dy anëtarë të Bordit të OIRK-së, duke i dhënë ngjarjes një dimension të rëndësishëm institucional.
Memorandumi ka për qëllim:
- Respektimin e legjislacionit – sigurimin e zbatimit të plotë të dispozitave ligjore që garantojnë pjesëmarrjen e inxhinierëve të licencuar në procedurat e prokurimit publik në sektorin e ndërtimit;
- Minimizimin e kritereve diskriminuese – shmangien e kërkesave të pajustifikuara në dokumentet e tenderëve që kufizojnë pjesëmarrjen e profesionistëve;
- Rritjen e transparencës dhe profesionalizmit – përmirësimin e konkurrencës së ndershme dhe standardeve në fushën e ndërtimit publik.
Sipas memorandumit, OIRK do të ketë rol aktiv në:
- Publikimin e listës zyrtare dhe të përditësuar të inxhinierëve të licencuar sipas drejtimit dhe specializimit;
- Ofrimin e këshillave profesionale dhe ligjore për autoritetet kontraktuese lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kritereve të prokurimit;
- Pjesëmarrjen në përgatitjen dhe shpërndarjen e udhëzimeve profesionale për dokumentet e tenderëve.
Ndërkaq KRPP do të sigurojë që dokumentet standarde të tenderëve të përfshijnë në mënyrë të qartë dispozitat ligjore që lidhen me profesionistët e licencuar, të ofrojë udhëzime për shmangien e kritereve diskriminuese dhe të rekomandojë që kërkesat për certifikata shtesë të jenë gjithmonë të lidhura me kompetencën e ekipit profesional dhe të bazuara në ligj.
Memorandumi hyn në fuqi nga data e nënshkrimit dhe do të jetë i vlefshëm për një periudhë trevjeçare, me mundësi rinovimi me marrëveshje të ndërsjellë.
Ky bashkëpunim paraqet një hap konkret drejt fuqizimit të rolit të inxhinierëve në procese vendimmarrëse dhe garanton që projektet publike të realizohen me standarde më të larta profesionale, duke kontribuar kështu në cilësinë e infrastrukturës dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
