Drag

Informata dhe Aktivitete

Takim i Bordit Drejtues të OIRK me Shoqatën “Albanian Engineering of Switzerland”

Sot në Prishtinë, Bordi Drejtues i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e Kryetarit Arsim Rapuca, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës “Albanian Engineering of Switzerland”, të kryesuar nga Presidenti Mentor Ilazi.

Në hapje të takimit, Kryetari Rapuca prezantoi në detaje procesin e punës së Odës që nga Kuvendi Themelues i mbajtur më 21 dhjetor 2024 e deri më sot. Ai foli për sfidat e hasura dhe punët e realizuara që kanë tejkaluar pritshmëritë fillestare, duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve institucionale, përpilimin e rregulloreve të brendshme, organizimin dhe funksionalizimin e administratës, si dhe shërbimet që po ofrohen për anëtarët. Kryetari gjithashtu dha sqarime të hollësishme mbi rëndësinë e Odës, rolin e saj në mbrojtjen e interesave të inxhinierëve, ndikimin në zhvillimin e politikave publike dhe promovimin e standardeve të ndërtimit.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua prezantimit të procesit të licencimit të inxhinierëve dhe programeve të edukimit të vazhdueshëm profesional, duke theksuar se këto janë mekanizma kyç për ngritjen e cilësisë së profesionit dhe përgjegjësisë publike.

Palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit të dyanshëm në të ardhmen dhe u pajtuan të krijojnë një grup të përbashkët pune për hartimin e një Memorandumi Mirëkuptimi që do të specifikojë fushat e bashkëpunimit. U veçua fusha e edukimit të vazhdueshëm si një mundësi e shkëlqyer për të zhvilluar programe të përbashkëta trajnimi dhe ngritjeje profesionale. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në përgatitjen e çmimeve referente për ndërtim dhe shërbime inxhinierike, duke u bazuar në përvojën dhe praktikat më të mira zvicerane.

Të dyja palët u shprehën të lumtura për realizimin e këtij takimi të parë në këtë format dhe theksuan nevojën për bashkëpunim të qëndrueshëm e të ndërsjellë, si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të inxhinierisë dhe forcimit të lidhjeve mes profesionistëve në Kosovë dhe diasporë.

Takimi u mbyll në një atmosferë shumë miqësore dhe bashkëpunuese, duke hapur rrugë për partneritete afatgjata dhe projekte konkrete që do të kontribuojnë në avancimin e profesionit të inxhinierit dhe përmirësimin e standardeve të ndërtimit në Kosovë.                                                                                                                                                                          

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni