
📍 Tiranë, 10 Tetor 2025
Në kuadër të vizitës zyrtare dy-ditore në Shqipëri, delegacioni i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), i kryesuar nga Kryetari z. Arsim Rapuca, u prit sot në një takim miqësor nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sh.T. Skënder Durmishi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ku delegacioni i OIRK-së e informoi Ambasadorin për zhvillimet e fundit të takimeve në Tiranë me Shoqatën Shqiptare të Inxhinierëve Konsulent (SHOSHIK), që kishin për synim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe harmonizimin ligjor ndërmjet dy vendeve.
Kryetari Rapuca dhe anëtarët e Bordit Drejtues të OIRK-së kërkuan përkrahjen institucionale të Ambasadës për nxitjen e takimeve në nivele ministrore, me qëllim përafrimin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e odave profesionale dhe njohjen e përkohshme të licencave ekzistuese të inxhinierëve, deri në themelimin e Odës përkatëse të Inxhinierëve në Shqipëri.
Ambasadori Durmishi shprehu mirënjohjen për vizitën dhe vlerësoi lart nismën e OIRK-së për thellimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit institucional dhe krijimit të një hapësire të përbashkët profesionale shqiptare në fushën e inxhinierisë dhe fushën e ndërtimit.
Ai premtoi se do të angazhohet personalisht për organizimin e takimeve përkatëse me institucionet e Qeverisë së Shqipërisë, për të shtyrë përpara procesin e harmonizimit ligjor dhe të njohjes së ndërsjellë të licencave profesionale, duke theksuar se tregu ynë është i përbashkët dhe inxhinierët duhet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin lirshëm, pa pengesa, në të dy vendet tona vëllazërore.
Në fund të takimit, Ambasadori Durmishi premtoi mbështetje të plotë për avancimin e kësaj agjende në nivelet përkatëse qeveritare dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me OIRK-në në realizimin e objektivave të përbashkëta.
🤝 OIRK e falënderon Ambasadorin për pritjen e ngrohtë dhe për përkrahjen e ofruar në promovimin e integrimit profesional dhe ligjor të inxhinierëve shqiptarë në të dy anët e kufirit.

