
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) kanë nënshkruar sot në Prishtinë Marrëveshje Bashkëpunimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ligjshmërisë, transparencës dhe integritetit profesional në fushën e ndërtimit në Republikën e Kosovës.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i OIRK-së, Arsim Rapuca, dhe Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, në prani të përfaqësuesve institucionalë të të dyja palëve, dhe u shoqërua me një takim zyrtar ku u diskutuan format konkrete të zbatimit të saj.
Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit institucional për zbatimin efektiv të legjislacionit në fuqi, veçanërisht në aspektin e licencimit profesional të inxhinierëve, auditimit teknik, mbikëqyrjes, inspektimit dhe pranimit teknik të projekteve publike në sektorin e ndërtimit.
Në kuadër të marrëveshjes, palët angazhohen që gjatë proceseve audituese të sigurohet verifikimi i licencimit profesional të inxhinierëve të përfshirë në projekte publike, të evidentohen dhe raportohen rastet e ushtrimit të profesionit pa licencë, si dhe të promovohet përdorimi i ekspertizës profesionale të inxhinierëve të licencuar në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Gjithashtu, marrëveshja parasheh shkëmbimin e ekspertizës profesionale dhe teknike ndërmjet OIRK-së dhe ZKA-së, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë trajnime, seminare dhe punëtori, me qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e etikës dhe rritjen e përgjegjësisë profesionale në sektorin e ndërtimit.
Kryetari i OIRK-së, Arsim Rapuca, vlerësoi se kjo marrëveshje e forcon edhe më tej rolin e inxhinierëve të licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të ndikojë dukshëm në zgjerimin dhe zbatimin më rigoroz të ligjit sa i përket ushtrimit të profesionit të inxhinierisë. Sipas tij, bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit krijon mekanizma konkretë institucionalë për kontrollin e ligjshmërisë, parandalimin e ushtrimit të profesionit pa licencë dhe rritjen e përgjegjësisë profesionale në projektet publike, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e cilësisë së ndërtimit në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me OIRK-në si institucion profesional për garantimin e zbatimit të standardeve ligjore dhe teknike në projektet publike, duke e vlerësuar këtë marrëveshje si një instrument të rëndësishëm për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës institucionale.
Në takimin zyrtar ishin të pranishëm edhe Bezad Halilaj, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, si dhe Lulzim Ismajli, Drejtor Ekzekutiv i OIRK-së.
Marrëveshja hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe ka afat tre (3) vjeçar, me mundësi vazhdimi me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.
