Drag

Informata dhe Aktivitete

NJOFTIM PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË AKTIVITETEVE TË OIRK-SË

Prishtinë, 5 nëntor 2026

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) njofton anëtarësinë, institucionet dhe publikun e gjerë se Bordi Drejtues, në mbledhjen e datës 3 nëntor 2026, me vendim unanim ka vendosur pezullimin e përkohshëm të aktiviteteve dhe shërbimeve administrative të Odës, duke filluar nga data 5 nëntor 2026, deri në sigurimin e financimit të nevojshëm për rifillimin e funksionimit të rregullt.

Ky vendim është marrë me keqardhje, si pasojë e gjendjes së rënduar financiare dhe mosrealizimit të grantit për vitin 2026, të paraparë sipas neneve 41 dhe 42 të Ligjit Nr. 08/L-012 për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit.

Përkundër komunikimeve të vazhdueshme me Ministrinë dhe dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar, procesi i realizimit të grantit për vitin 2026 ende nuk është përfunduar.

Mungesa e mjeteve financiare që nga korriku 2026 ka pamundësuar përmbushjen e detyrimeve ndaj administratës dhe ofruesve të shërbimeve, si dhe realizimin e aktiviteteve të planifikuara të Odës, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj institucional.

Gjatë periudhës së pezullimit, zyrat e OIRK-së do të mbeten të mbyllura dhe shërbimet administrative për anëtarët do të ndërpriten përkohësisht. Ky vendim nuk ndikon në vlefshmërinë e licencave profesionale të inxhinierëve të licencuar.

OIRK ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë përgjegjëse dhe Komisionin Ministror për Themelimin e Odave për gjendjen e krijuar dhe nevojën për sigurimin e financimit të nevojshëm.

Theksojmë se ky vendim nuk përbën masë proteste ndaj Ministrisë, por është pasojë e rrethanave financiare që kanë pamundësuar vazhdimin e funksionimit të rregullt të Odës.

OIRK mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj përmbushjes së mandatit të saj ligjor dhe bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse. Me krijimin e kushteve të nevojshme financiare, Oda synon rifillimin sa më të shpejtë të aktiviteteve dhe shërbimeve administrative, për çka anëtarësia dhe publiku do të njoftohen me kohë.

BORDI DREJTUES
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK)

Dokumentet bashkëngjitur:

  1. Vendimi i Bordit Drejtues të OIRK-së, Nr. 19-BD/2026, datë 03.11.2026.
  2. Njoftimi zyrtar i OIRK-së drejtuar Ministrisë, datë 05.11.2026.

01 Vendimi i Bordit Drejtues Nr.19-2026

02 Njoftim nga OIRK

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni