Drag

Informata dhe Aktivitete

Takimi i përbashkët ndërmjet Bordeve të OIRK dhe OARK

Sot u zhvillua takimi ndërmjet Bordit të Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Bordit të Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), ku u diskutuan hapat konkretë për përpilimin e dokumentit për Çmimet Referente Minimale në fushën e ndërtimit dhe të shërbimeve profesionale.
Një dokument shumë i nevojshëm dhe i kërkuar nga komuniteti i arkitektëve dhe inxhinierëve, por edhe nga institucionet buxhetore që menaxhojnë investimet kapitale.
Në takim u theksua rëndësia e krijimit të një çmimoreje të ndërtimit dhe të shërbimeve profesionale, që do të përfshijë të gjitha llojet e ndërtimeve — si ato të ndërtimit të lartë, ashtu edhe të ndërtimit të ulët — si dhe shërbimet e ndryshme profesionale që ofrohen nga ekspertët e fushës.
Për ndarjen e kategorive të ndërtimeve, u vendos që të përdoret Udhëzimi Administrativ për Klasifikimin e Ndërtimeve, në mënyrë që kategorizimi dhe përcaktimi i çmimeve të jenë të harmonizuara me kuadrin ekzistues teknik dhe ligjor.
Gjithashtu, palët u pajtuan që për bazë të përgatitjes së këtij dokumenti të merren rregulloret ekzistuese të shteteve fqinje dhe ato perëndimore, të cilat reflektojnë realitete të përafërta profesionale dhe ekonomike. Do të realizohen edhe konsultime me odat homologe të rajonit, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në këtë fushë.
Hapat e dakorduar:
1. 20 tetor 2025 – Shpallja e thirrjes për ekspertë, anëtarë të Odave, që do të angazhohen në këshillat profesionalë / grupet punuese.
2. 5–15 nëntor 2025 – Formimi i grupeve punuese, me përfaqësim profesional nga të dy Odat.
3. 15 nëntor 2025 – Fillimi i punës së grupeve punuese, me përcaktimin e qasjes dhe strukturës së këtij dokumenti.
4. 15 dhjetor 2025 – Prezantimi i rezultateve të para dhe dorëzimi i draftit të dokumentit për shqyrtim dhe miratim nga bordet përkatëse.
Pas shqyrtimit dhe miratimit, Dokumenti për Çmimet Referente Minimale do të publikohet në formë të konsoliduar.
Ky proces i përbashkët shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të standardeve të qarta dhe të qëndrueshme për vlerësimin e punës profesionale në fushën e ndërtimit dhe projektimit, duke kontribuar në rritjen e cilësisë, transparencës dhe dinjitetit të profesionit të inxhinierëve dhe arkitektëve në Republikën e Kosovës.
Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni