Drag

Informata dhe Aktivitete

Sqarim për sigurimin e përgjegjësisë profesionale të inxhinierëve të licencuar

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) njofton anëtarët e saj dhe publikun e gjerë se procesi i sigurimit të përgjegjësisë profesionale për inxhinierët e licencuar po zbatohet plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-012 dhe me Rregulloren për lartësinë dhe mënyrën e sigurimit të përgjegjësisë profesionale të inxhinierit të licencuar, të miratuar nga Bordi Drejtues i OIRK-së.

Baza ligjore dhe institucionale

Në bazë të nenit 7 të Rregullores, përcaktohet qartë se: “Sigurimi i përgjegjësisë profesionale për inxhinierët e licencuar kryhet përmes Odës, e cila lidhet me një kompani të licencuar të sigurimit.”

Në zbatim të kësaj dispozite, OIRK ka dërguar njoftimin zyrtar dhe Rregulloren përkatëse te të gjitha kompanitë e sigurimeve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke i ftuar ato të aplikojnë për bashkëpunim në ofrimin e sigurimit të përgjegjësisë profesionale për anëtarët e OIRK-së.

Nga këto kompani, pesë kompani të licencuara kanë aplikuar në bazë të Rregullores së OIRK-së dhe kushteve të përcaktuara ligjërisht.

Pas shqyrtimit të ofertave, është përzgjedhur kompania e sigurimeve “Scardian sh.a.”, e cila ka përmbushur plotësisht kërkesat ligjore, teknike dhe financiare, duke ofruar kushtet më të leverdishme në interes të anëtarësisë.

Kjo marrëveshje është negociuar dhe lidhur nga OIRK në emër të interesit të anëtarëve të licencuar, për të garantuar mbulim të unifikuar, standarde të barabarta dhe siguri ligjore për të gjithë inxhinierët e licencuar në Republikën e Kosovës.

Përmbajtja dhe mbulueshmëria

Në bazë të marrëveshjes ndërmjet OIRK dhe Scardian sh.a., e cila është publikuar në faqen zyrtare të Odës, përcaktohet qartë se mbulimi i sigurimit profesional përfshin:

  • shkeljet e detyrës profesionale;
  • gabimet, neglizhencën dhe lëshimet në projektim, mbikëqyrje dhe zbatim teknik;
  • dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta gjatë ushtrimit të profesionit inxhinierik;
  • si dhe përgjegjësinë ligjore të inxhinierit në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-012 dhe Rregulloren e OIRK-së.

Nëse në tekstin e policës individuale nuk janë të renditura në mënyrë të detajuar të gjitha elementet e mbulueshmërisë, ato janë të përcaktuara në marrëveshjen zyrtare ndërmjet OIRK dhe Scardian, e cila është dokument bazë ligjor që garanton përputhshmërinë e mbulimit me kërkesat e Rregullores së OIRK-së dhe të Ligjit në fuqi.

Kjo formë e bashkëpunimit është praktikë standarde në sigurimet institucionale profesionale, ku marrëveshja kornizë përcakton kushtet e mbulimit dhe zbatimit për të gjithë përfituesit.

Procesi i sigurimit

  • Oda e Inxhinierëve ka lidhur marrëveshjen institucionale me kompaninë “Scardian sh.a.”, duke garantuar kushtet dhe përputhshmërinë ligjore të sigurimit;
  • Anëtarët e licencuar bëjnë pagesën dhe pajisen individualisht me policë sigurimi drejtpërdrejt në kompaninë “Scardian sh.a.”;
  • Kopja e policës dorëzohet në OIRK për evidencë dhe verifikim të mbulimit aktiv;
  • Shuma minimale e mbulimit, në përputhje me nenin 5 të Rregullores, është 20,000 (njëzet mijë) euro për secilin inxhinier të licencuar.

Qëllimi i marrëveshjes

Kjo marrëveshje ka për qëllim të:

  • sigurojë mbrojtje ligjore dhe profesionale për të gjithë inxhinierët e licencuar;
  • garantojë standard të unifikuar dhe të barabartë të mbulimit për çdo anëtar të OIRK-së;
  • mundësojë kushtet më të leverdishme financiare dhe mbulim real sipas Rregullores;
  • dhe të forcojë përgjegjësinë profesionale dhe integritetin e profesionit të inxhinierit në Republikën e Kosovës.

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës rithekson se sigurimi i përgjegjësisë profesionale është detyrim ligjor dhe mbrojtje e domosdoshme profesionale, që kontribuon në forcimin e besueshmërisë, transparencës dhe përgjegjësisë së profesionit të inxhinierit.

Marrëveshja e plotë OIRK – Scardian sh.a. është publikuar në faqen zyrtare të Odës dhe është e qasshme për të gjithë anëtarët. Shih dokumentin në linkun: https://oirk.org/wp-content/uploads/2025/11/Marreveshje-me-Scardian-.pdf

 

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni