
Sot, Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me kompaninë e sigurimeve SCARDIAN sh.a., për ofrimin e sigurimit të përgjegjësisë profesionale për të gjithë inxhinierët anëtarë të Odës.
Ky bashkëpunim vjen në zbatim të Rregullores për lartësinë dhe mënyrën e sigurimit të përgjegjësisë profesionale të inxhinierit të licencuar, e miratuar nga Kuvendi i OIRK-së, në bazë të së cilës çdo inxhinier i licencuar ka obligim të sigurohet për dëmet që mund të shkaktojë gjatë ushtrimit të profesionit.
Në Nenin 7 të Rregullores, specifikohet qartë se:
“Sigurimi i përgjegjësisë profesionale të inxhinierit të licencuar që është anëtar i Odës, bëhet përmes Odës. Në zbatim të kësaj dispozite, Oda lidh marrëveshje me kompaninë e licencuar të sigurimit, në të cilën përcaktohen kushtet, primi i sigurimit, lartësia e sigurimit dhe procedurat e kompensimit të dëmit të shkaktuar.”
Procesi i përzgjedhjes
Në përputhje me këtë bazë ligjore, OIRK ka zhvilluar një proces transparent të mbledhjes dhe vlerësimit të ofertave nga të gjitha kompanitë e sigurimeve që operojnë në Republikën e Kosovës.
Nga pesë ofertat e pranuara, kompania SCARDIAN është përzgjedhur si ofertuesi më i favorshëm, duke ofruar kushtet më të përshtatshme për anëtarët dhe mbulueshmëri të plotë në përputhje me kërkesat e Rregullores së OIRK-së.
Mënyra dhe kushtet e sigurimit
Në bazë të marrëveshjes, sigurimi i përgjegjësisë profesionale realizohet në dy opsione kohore dhe me tri nivele të mundshme të mbulueshmërisë. Për nivelin bazë të mbulimit — 20,000 euro, që është edhe minimumi i përcaktuar me Rregullore, janë përcaktuar këto vlera të primas vjetore:
- 21.24 euro për një vit (për mbulueshmëri deri në 20,000 euro);
- 106.20 euro për periudhë pesëvjeçare (për mbulueshmëri deri në 20,000 euro).
Kjo vlerë përfaqëson minimumin e detyrueshëm të mbulimit sipas Rregullores së OIRK-së.
Megjithatë, çdo inxhinier ka mundësi të zgjedhë një mbulueshmëri më të lartë, nëse e vlerëson të nevojshme për natyrën e punës dhe përgjegjësive të tij profesionale.
Procedura e aplikimit
Policat e sigurimit do të lëshohen individualisht për secilin inxhinier anëtar të OIRK-së, nëpërmjet kompanisë SCARDIAN, sipas procedurave të përcaktuara në marrëveshje.
Kërkesa mund të dorëzohet në mënyrë fizike në zyrat e kompanisë ose në formë elektronike përmes e-mailit, duke bashkëngjitur:
- Kopjen e licencës profesionale;
- Dëshminë e anëtarësimit në OIRK;
- Përzgjedhjen e opsionit të dëshiruar të mbulueshmërisë;
- Të dhënat për faturimin individual.
Hyrja në fuqi dhe zbatimi
Sipas vendimit të Bordit Drejtues të OIRK-së, kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë.
Kësisoj, në momentin e pagesës së anëtarësisë për vitin e dytë, secili inxhinier duhet të bashkëngjisë:
- fletëpagesën e anëtarësisë, dhe
- kopjen e policës së sigurimit të përgjegjësisë profesionale.
Kjo masë siguron jo vetëm përmbushjen e obligimeve ligjore dhe rregullative, por edhe rritjen e sigurisë dhe përgjegjësisë profesionale të inxhinierëve në Republikën e Kosovës.
