Drag

Informata dhe Aktivitete

NJOFTIM ZYRTAR

Për anulimin dhe rishpalljen e Thirrjes
Çmimi “Inxhinieri i Vitit 2025”

 

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), pas shqyrtimit të dymbëdhjetë (12) aplikimeve të pranuara për Çmimin “Inxhinieri i Vitit 2025”, njofton se Bordi Drejtues, bazuar në vlerësimin e Komisionit Vlerësues, ka vendosur anulimin e thirrjes aktuale.

Gjatë procesit të vlerësimit u konstatua se, megjithëse aplikimet e pranuara dëshmojnë profesionalizëm dhe përvojë të konsiderueshme, në shumicën e rasteve ato janë mbështetur në referenca të përgjithshme dhe projekte tipike të realizuara ndër vite, e jo në një arritje të veçantë, inovative dhe të dokumentuar gjatë vitit 2025, me ndikim të qartë dhe të matshëm në fushën e ndërtimit, cilësi, siguri dhe shëndet në punë.

Duke qenë se ky çmim synon të përfaqësojë nivelin më të lartë të arritjes profesionale në vitin përkatës, OIRK vlerëson se kriteret dhe metodologjia e vlerësimit duhet të jenë edhe më të qarta, më të detajuara dhe të matshme, në mënyrë që të garantohet standard i lartë, objektivitet, barazi në konkurrim dhe shmangie e çdo paqartësie apo perceptimi të padrejtësisë.

Duke qenë se kjo është hera e parë që OIRK organizon Çmimin “Inxhinieri i Vitit”, gjatë këtij cikli u evidentua gjithashtu se në një masë ka pasur keqkuptim rreth mënyrës së pjesëmarrjes dhe natyrës së aplikimit, duke përfshirë dallimin ndërmjet aplikimit individual dhe nominimit të një kandidati nga një grup anëtarësh, si dhe fokusin që çmimi kërkon te një arritje konkrete dhe e jashtëzakonshme e vitit 2025. Përvoja e këtij cikli të parë ka shërbyer si bazë për përmirësimin e thirrjes dhe strukturimit më të saktë të kërkesave, në mënyrë që aplikimet/nominimet e ardhshme të jenë më të fokusuara dhe të harmonizuara me standardin e synuar të çmimit.

Për këto arsye, vendoset:

  • Anulimi i thirrjes aktuale për Çmimin “Inxhinieri i Vitit 2025”;
  • Rishpallja e një thirrjeje të re brenda dy (2) muajve të ardhshëm, me kritere të detajuara, udhëzime të qarta për aplikim/nominim dhe theks të veçantë në inovacionin e dëshmuar gjatë vitit 2025.

Thirrja e re do të fokusohet në:

  • Inovacion teknik konkret dhe të dokumentuar gjatë vitit 2025;
  • Zgjidhje jo-konvencionale ose përmirësim të ndjeshëm të praktikave ekzistuese;
  • Ndikim të matshëm në cilësi, siguri dhe shëndet në ndërtim;
  • Vlerë të qartë inxhinierike dhe ndikim profesional në sektor.

Qëllimi i këtij vendimi është ruajtja e integritetit, standardit dhe prestigjit të çmimit, si dhe sigurimi i një procesi të drejtë dhe transparent, në përputhje me frymën reale të vlerësimit.

OIRK falënderon të gjithë aplikantët dhe anëtarët që kanë kontribuar në këtë proces dhe i inkurajon të riaplikojnë / rinominojnë në thirrjen e re, duke u fokusuar në elementin inovativ dhe arritjen konkrete të vitit 2025, të shoqëruar me dëshmi dhe dokumentacion përkatës.

Me respekt,
Bordi Drejtues
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK)

 

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni