Gjuha:   Shqip   English   Srpski

Drag

Informata dhe Aktivitete

Njoftim Publik Takimi i Bordit të OIRK-së me Shoqatën e Bizneseve të Kosovës mbi Çështjet e Prokurimit Publik

Bordi Drejtues i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) zhvilloi një takim pune me Shoqatën e Bizneseve të Kosovës – e themeluar së fundmi – me fokus në kriteret diskriminuese në tenderët publikë dhe zbatimin e ligjit për përfshirjen e inxhinierëve të licencuar në fushën e ndërtimit.

 

Gjatë takimit u theksua se:

  • Sipas Ligjit Nr. 08/L-012 dhe Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim, pas datës 1 qershor 2025 çdo veprimtari profesionale në ndërtim duhet të kryhet vetëm nga inxhinierë të licencuar nga OIRK.
  • Përdorimi i termit të përgjithshëm “inxhinier” në dokumentet e tenderëve, pa specifikimin “i licencuar nga OIRK” për drejtimin përkatës, bie ndesh me ligjin dhe rrezikon pavlefshmërinë e dokumentacionit teknik, anulimin e kontratave dhe sanksione ligjore.
  • Kërkesat për certifikata shtesë si certifikata për mbrojtje nga zjarri, mjedisi ose siguria në punë, kur nuk specifikohet qartë se cilit profil inxhinierik i takojnë dhe vendosen si kusht për një individ të vetëm, krijojnë diskriminim dhe kufizim të panevojshëm të konkurrencës. Kompetencat e tilla, nëse kërkohen nga ligji, mund të sigurohen nga ekipi profesional në tërësi, e jo të imponohen mbi një person të vetëm.

Gjithashtu, palët diskutuan për:

  • Bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e prokurimit publik, me qëllim luftimin e dukurive negative të kritereve diskriminuese;
  • Hartimin e një memorandumi të përbashkët mirëkuptimi ndërmjet OIRK-së dhe Shoqatës së Bizneseve, për të adresuar këto çështje dhe për të rritur transparencën e procedurave;
  • Bashkëpunim në zhvillimin e një çmimoreje referente standardizuese për punët në fushën e ndërtimit, me synim krijimin e praktikave të qarta dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë;
  • Mundësinë e organizimit të takimeve me Autoritetin e Konkurrencës, Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe institucione të tjera relevante, për të koordinuar veprimet në mbrojtje të konkurrencës së ndershme dhe cilësisë profesionale në ndërtim.

OIRK dhe Shoqata e Bizneseve të Kosovës ndanë qëndrimin e përbashkët se prokurimi publik duhet të jetë transparent, jo-diskriminues dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke garantuar mbrojtjen e interesit publik dhe sigurinë në sektorin e ndërtimit.

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni