Drag

Informata dhe Aktivitete

NJOFTIM PUBLIK – OIRK

Më datë 07.02.2026, ishte thirrur Mbledhja e Rregullt e Kuvendit të Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK). Përkundër një organizimi serioz dhe profesional, mbledhja nuk arriti të zhvillojë punimet për shkak të mungesës së kuorumit.
Falënderojmë sinqerisht 348 anëtarët që, nga gjithsej 853 anëtarë themelues (pjesë e Kuvendit), ndanë kohën e tyre dhe u paraqitën për pjesëmarrje, duke treguar përkushtim dhe përgjegjësi ndaj Odës dhe profesionit. Pjesëmarrja e tyre është dëshmi e vullnetit për ta fuqizuar OIRK-në dhe për të ndërtuar një institucion të qëndrueshëm e funksional.
Njëkohësisht, është e rëndësishme të thuhet qartë: vendimmarrja për forcimin e Odës bëhet në Kuvend. Kur Kuvendi nuk mban mbledhje për shkak të mungesës së pjesëmarrjes, atëherë vështirësohet drejtpërdrejt funksionimi dhe avancimi i institucionit që na përfaqëson të gjithëve. Statuti e njeh pjesëmarrjen si të drejtë, por ekziston një bazë e fortë morale, profesionale dhe institucionale për t’u kërkuar anëtarëve përgjegjësi dhe angazhim: Oda nuk mund të ecë përpara pa pjesëmarrjen aktive të anëtarësisë së saj.
Duhet theksuar gjithashtu se organizimi i mbledhjeve kërkon mund, kohë dhe resurse, si dhe përfshin shpenzime konkrete (logjistikë, sallë, pajisje, dokumentacion dhe organizim). Këto përgatitje bëhen me seriozitet dhe me qëllim të vetëm: që Oda të funksionojë dhe të marrë vendime në interes të përbashkët të anëtarëve.
Kuvendi i rregullt mbahet minimum një herë në vit. Ne besojmë se sakrifica e një dite në vit është e mundshme për secilin prej nesh, nëse synimi ynë është ta bëjmë OIRK-në më të fortë e më të zëshme në mbrojtje të profesionit, më funksionale në shërbim të anëtarëve, dhe të punojmë bashkë për ngritjen e standardit të inxhinierit, përfshirë edhe mbrojtjen e dinjitetit profesional dhe vlerësimin e drejtë të punës sonë.
Ftojmë të gjithë anëtarët që, në thirrjet e radhës, të tregojnë angazhim dhe përgjegjësi profesionale, në mënyrë që vendimet e rëndësishme për profesionin tonë të merren aty ku e kanë vendin: në Kuvend.
Me respekt,
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës – OIRK
Arsim Rapuca, Kryetar
Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni