Drag

Informata dhe Aktivitete

Njoftim për Publikun – Sqarim lidhur me kompetencat ligjore të OIRK-së për licencimin e profesionistëve inxhinierë në fushën e ndërtimit

 

Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) njofton opinionin profesional dhe publikun e gjerë se Bordi Drejtues i OIRK-së ka trajtuar shkresën zyrtare të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) të datës 30.09.2025 dhe ka dhënë përgjigje të detajuar dhe të argumentuar ligjërisht, e bazuar në legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Në këtë dokument zyrtar, OIRK ka sqaruar se:

  • OIRK ka mandat të qartë dhe ekskluziv ligjor për licencimin e profesionistëve inxhinierë që veprojnë në fushën e ndërtimit, në pajtim me Ligjin Nr. 08/L-012 për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit;
  • Sistemi i licencimit profesional (Kategoritë A dhe B) përfshin të gjitha profilet e inxhinierisë që kontribuojnë në proceset ndërtimore — përfshirë inxhinierinë e gjeodezisë, kur ajo është pjesë përbërëse e projektimit, zbatimit, kontrollit gjeometrik dhe monitorimit të strukturave ndërtimore;
  • Ligji Nr. 08/L-237 për Kadastër nuk kufizon dhe nuk cenon kompetencat profesionale të OIRK-së, pasi ky ligj rregullon shërbimet publike të regjistrimit kadastral dhe jo licencimin e profesionistëve që ushtrojnë veprimtari inxhinierike në fushën e ndërtimit.

OIRK thekson se inxhinierët e gjeodezisë janë pjesë përbërëse e procesit ndërtimor dhe kontribuojnë në sigurinë teknike, saktësinë gjeometrike, kalkulimin e vëllimeve dhe cilësinë e punimeve, përmes matjeve, trasimeve, kontrollit të përputhshmërisë dhe hartimit të Elaborateve Gjeodezike, të cilat janë dokumente zyrtare të kërkuara në Raportin Final Teknik dhe në procedurat e mbikëqyrjes inspektuese, sipas Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe UA Nr. 05/2017 për Mbikëqyrjen Inspektuese.

Përmes sistemit të licencimit dhe mbikëqyrjes profesionale, OIRK siguron që çdo inxhinier i licencuar të veprojë me përgjegjësi profesionale dhe etike, duke kontribuar në sigurinë publike, cilësinë e ndërtimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Në kuadër të këtij sistemi, OIRK mbulon gjithashtu sigurimin e përgjegjësisë profesionale për inxhinierët e licencuar, përfshirë edhe ata të gjeodezisë, duke garantuar mbrojtje financiare dhe ligjore në rast të gabimeve teknike ose dëmeve që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të profesionit.
Ky mekanizëm i sigurimit është pjesë e standardeve të larta profesionale që OIRK zbaton për të mbrojtur interesin publik, investitorët dhe vetë profesionistët inxhinierë.

Bordi Drejtues i OIRK-së thekson se Oda nuk merr vendime të ngutura apo jashtë bazës ligjore, por çdo vendim ndërtohet mbi themele të forta ligjore dhe profesionale, në përputhje me misionin e saj për garantimin e sigurisë, cilësisë dhe profesionalizmit në të gjitha proceset ndërtimore.

Dokumenti i plotë me argumentimin ligjor dhe referencat përkatëse është publikuar më poshtë për transparencë të plotë ndaj publikut dhe komunitetit profesional:

 

Përgjigje e OIRK_Nr.Prot.879-25

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Na kontaktoni