
Partneritet për integritet, profesionalizëm dhe transparencë në prokurimin publik
Në datën 4 nëntor 2025, Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), përmes Shoqatës së Prokurimit të Bizneseve të Kosovës (ShPBK), nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik dhe zbatimit të standardeve profesionale në fushën e ndërtimit.
Memorandumi u nënshkrua nga z. Arsim Rapuca, Kryetar i OIRK-së, dhe z. Lulzim Rafuna, Kryetar i OEK-së, në një ceremoni të mbajtur në Prishtinë, në prani të përfaqësuesve të të dy institucioneve.
Qëllimi i Memorandumit
Ky Memorandum ka për qëllim të vendosë një kuadër bashkëpunimi ndërmjet OEK-ut dhe OIRK-së për të:
- Kontribuar në zbatimin e plotë të dispozitave ligjore që ndërlidhen me pjesëmarrjen e inxhinierëve të licencuar në procedurat e prokurimit publik në sektorin e ndërtimit;
- Identifikuar dhe eliminuar kriteret diskriminuese apo të pajustifikuara në dokumentet e tenderimit që nuk bazohen në dispozita ligjore;
- Rritur transparencën, profesionalizmin dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme në fushën e ndërtimit publik;
- Promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik dhe të praktikave profesionale;
- Forcuar zërin e sektorit privat dhe profesional në politikat e prokurimit public.
Baza Ligjore
Ky Memorandum bazohet në:
- Ligjin Nr. 08/L-012 për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit;
- Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik;
- Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim;
- Statutin e Shoqatës së Prokurimit të Bizneseve të Kosovës;
- Aktet nënligjore përkatëse dhe udhëzimet administrative për prokurim dhe ndërtim;
- Ligjin për Odën Ekonomike të Kosovës (2004/7);
- Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit
Angazhimet e OIRK-së
Oda e Inxhinierëve angazhohet të:
- Publikojë në uebfaqe listën zyrtare dhe të përditësuar të inxhinierëve të licencuar sipas drejtimeve dhe specializimeve;
- Bashkëpunojë me ShPBK-në në promovimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e udhëzimeve për autoritetet kontraktuese;
- Ofron këshilla ligjore dhe profesionale për shmangien e kritereve diskriminuese;
- Jep ekspertizë profesionale dhe opinione teknike për dokumentacionet e tenderëve.
Angazhimet e Shoqatës së Prokurimit të Bizneseve të Kosovës
Shoqata angazhohet të:
- Përcjellë shqetësimet e anëtarëve të saj lidhur me barrierat apo kriteret diskriminuese në tenderë dhe t’i adresojë ato përmes bashkëpunimit me OIRK;
- Bashkëpunojë në hartimin e udhëzimeve dhe dokumenteve model që mbështesin praktikat e drejta në prokurim;
- Organizojë trajnime të përbashkëta me OIRK për kompanitë dhe institucionet publike;
- Promovojë interesat e përbashkëta të odave në raport me institucionet publike
Aktivitetet e Përbashkëta
Palët do të:
- Identifikojnë sfidat në zbatimin e ligjit në prokurimin e punëve publike dhe do të propozojnë zgjidhje;
- Bashkëorganizojnë seminare, tryeza të rrumbullakëta, trajnime dhe forume profesionale;
- Ofron këshilla teknike dhe profesionale për hartimin e dokumentacionit standard të tenderëve;
- Hartojnë standarde të përbashkëta teknike për përmirësimin e dokumentacioneve të prokurimit publik;
- Rrisin kapacitetet profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta;
- Marrin pjesë në grupe punuese të institucioneve për zhvillimin e politikave publike;
- Krijojnë një trupë koordinuese të përbashkët që do të monitorojë proceset e prokurimit në ndërtim dhe do të paraqesë rekomandime tek organet përgjegjëse.
Përfitimet e Marrëveshjes
Ky Memorandum do të kontribuojë në:
- Rritjen e cilësisë së ofertave dhe dokumentacioneve në tenderët publikë;
- Mbrojtjen e interesit të profesionistëve dhe bizneseve nga kriteret e padrejta apo të pasakta;
- Krijimin e një platforme unike lobimi profesional, që ndikon në ndryshimet ligjore dhe procedurale në prokurimin publik;
- Rritjen e atraktivitetit të Shoqatës së Prokurimit të Bizneseve të Kosovës, duke demonstruar përfitimet e bashkëpunimit të drejtë dhe professional.
Kohëzgjatja
Ky Memorandum hyn në fuqi në datën e nënshkrimit dhe është i vlefshëm për tre (3) vjet, me mundësi rishikimi apo rinovimi me marrëveshje të ndërsjellë të palëve
